TITULLI I ARTIKULLIT: UEJL-ja, pak më ndryshe!

Interviste me studentet



ERMAL MEHAJ
Fakulteti i Shkencave Kompjuterike

Fillimisht, ajo çka do të kisha bërë unë, do të ishte ndërtimi i një aeroporti pasi mendoj se këtu ka shumë prej atyre që janë duke fluturuar, e fluturuar, e fluturuar, drejt një drejtimi ende të pa identifikuar qartë.
Mbasi funksioni primar i aeroportit është për ti ulur mjetet fluturuese në tokë, mendova ndoshta mos i duhet edhe UEJL-së një.

E mbasi ta prekim tokën me këmbë atëherë do të kisha ndërtuar minimum dy çeshma publike me ujë të pijshëm brenda hapsirës universitare. Pa ujë vështirë se mbahet shpirti, apo?
Mbas gjithë këtyre, do të urdhëroja që biblioteka të jetë e hapur 24 orë për studentët, sepse nuk dihet asnjëherë sakt, se kur i vjen studentit inspirimi apo dëshira për të lexuar.
Gjithashtu do ta katërfishoja laboratorin e Shkencave Kompjuterike me hapësira dhe mjete pune të reja.


FATON ARIFI
Fakulteti i Shkencave Kompjuterike

Do ta kisha pasuruar Universitetin tonë me një ambulancë e cila do të jetë aty për t’ju dhënë studentëve ndihmën e parë. Gjithashtu ligjeratat që studentët i marrin nga Copy Shopi do ti bëja të merren pa të holla, ato do ti mbulonte paga që çdo student ndanë për pagesën semestrale.
Edhe biblotekën nuk do ta kisha lënë pasdore. Do ta shtoja atë me salla të reja leximi, për shembull; një kënd do të kishte muzik të qetë në prapavi sepse ka shumë student që mësojnë në këtë mënyrë. Një kënd tjetër do të ishte për diskutime, videokonferenca, punë grupi, etj.
Gjithashtu, një fokus të veçant do ti kushtoja edhe rrugës hyrëse për në UEJL. Do të ndaja veçmas hyrjen e veturave dhe veçmas hyrjen e studentëve, sepse situata që është tani, jep mundësinë për tu krijuar një tollovi e madhe.


AVA IZEIRI
Fakulteti i Drejtsisë

Mbasi ju po më ofroni mua mundësinë për ta imagjinuar UEJL-në nga një prizëm ndryshe nga ky që është, po ju themë disa nga propozimet që më bien ndërmend tani:
E para, do të isha munduar që në UEJL të hap për studentët Fakultetin e Mjeksisë me të gjitha kushtet dhe laboratoret e nevojshme për atë fushë. Përveç kësaj do të tentoja që Universiteti jonë të pasurohet edhe me Fakultetin e Arteve të Bukura.
E dyta, do të fokusohesha në zgjerimin e hapësirave të reja të biblotekës.
Gjithashtu vëmendje të veçantë do ti kushtoja parandalimit të korrupsionit dhe formave tjera që japin si rezultat vetëm një gjë-HUMBJEN.


MELISA KANZOSKA
Fakulteti i Biznesit

Këtu shumë gjëra funksionojnë si duhet por meqë po më jepet mundesia për ta parë Universitetin nga një prizëm tjetër, po ju sjell disa ide: gjithmonë do t’ju ofroja studentëve seminare të ndryshme jasht vendit me njerëz profesionalist. Gjithashtu, do t’ju mundësoja atyre që të kryenin praktikën nëpër organizata të mëdha dhë të njohura.
Nuk do ta kisha lënë anash as mësimin interaktiv sepse mendoj se kjo formë e re studimi është në interes të studentit. Do të angazhoja njerëz profesionalist që do të jenë aty për t’ju ndihmuar studentëve rreth çështjeve që ata duan ti diskutojnë. Studenti do të ishtë gjithmonë pika kryesore e referimit dhe aktivitetit tim.


VIGAN HRVATI
Fakulteti i Shkencave Kompjuterike

Ideja për një imagjinatë të këtillë më duket ineresante dhe kjo më shtyn të mëndoj për Universitetin nga një këndvështrim tjetër- AI I NDRYSHIMIT.
Fillimisht do ta ulja koston e çmimit semestral që i takon të paguaj çdo studenti. Do të preferoja që të ndërtoja një bibliotekë të hapur, të paktën të jetë relaksuese dhe tërheqëse gjatë pregatitjes së provimeve të semestrit veror.
Gjithashtu do të bëja ndryshime edhe në fushën e planprogramit mësimor. Do t’i jepja një përkrahje më të madhe praktikës mësimore sesa pjesës teorike.
Do të ishte mirë që në fund të çdo tre mujori të përpiloheshin anketa për studentët dhe të pyeten se a janë të kënaqur me të rejat që ndodhin apo janë të lodhur nga ideja që s’po ndryshon asgjë.


SEMRA RAMADANI
Fakulteti i Drejtesisë

Universiteti nuk është vendi ku studentët përfitojnë vetëm njohuri, Universiteti është edhe vendi ku ata socializohen dhe kalojnë të paktën një katër orësh brenda atij kufiri.

Prandaj, kur mendohet të realizohet diçka, ajo duhet të shihet nga të gjitha anët. Nisur nga kjo, unë përkrahë idenë që Universiteti të jetë vendi ku to të ketë hapësira edhe për zbavitje. Në këtë pikë do të kisha dashur që brenda universitetit të organizohen më shumë udhëtime, pse jo edhe udhëtime që mbulohen financiarisht nga Universiteti.
Gjithashtu do të bëja që në çdo korridor të ketë aparat për kafe dhe ujë falas.
Me gjithë dëshirë, do të kontriboja që ta hapë edhe Fakultetit e Dizajnit si fushë të re studimi për studentët e ardhëshm të UEJL.

“PËR ËNDRRËN QË KURRË S’MU REALIZUA”

Ende i kujtojë ngjarjet e vitin 1972 sikur të kishin ndodhur sot. Ato nuk më fshihen dot nga truri dhe as që dua të më fshihen. Këto ngjarje janë vetvetja ime dhe po të mos i kisha përjetuar, tani do të isha duke i kërkuar të falur vetvetes. Më gëzohet shpirti kur kujtoj 1972-shin!
Çka s’do të kisha bërë për shqiptarin tim në atë kohë, fryma e fundit do të ishte shpërblimi më i vogël që do mund t’ja dhuroja atij. Sa mirë që i kam dhuruar më shumë dhe sa keq që si kam dhuruar edhe më shumë.
Nuk e mbaj mend kur u lidha aqë me shpirt për kombin tim. Nga njëherë mendoj se kështu isha që kur erdha në jetë.
Tani, ju të rinjtë e keni shumë lehtë. Ju duket e vështirë të merni dhe të lexoni, kurse neve kjo na dukej ëndërra më e bukur që do të kishim dashur ta shohim. Ta mbaje në dorë një libër me germa shqipe ishte gjëja me e bukur që mund ta kishe në atë kohë. Eh, sikur ta dinit se sa krenar ndihesha asaj kohe. Më dukej vetja si pronar i botës.
Edhe kur i kisha sytë e mbyllur, edhe kur i hapja, më dilte përpara harta e Shqipërisë. Jo kjo që e keni në atllaset tuaja, por ajo që e kishim ne në zemrat tona. Harta e Shqipërisë së Bashkuar. Mos vdeksha pa mos e parë këtë ëndërr të realizur-brohoris shpesh. Hahaha, mu duk sikur lypa të mbetëm gjithmonë i gjallë, i pavdekshëm, sepse kjo që po kërkoj sikur se ka menden të ndodh kurrë, as atëherë madje.
Nuk e kujtoj me dhimbje kohën kur më mbyllën në burg, madje shpesh ndjejë nostalgji për të. Tani, kur nipat e mbesat vinë të më shohin në këtë vend të lënë pasdore, më mbushen sytë me lotë kur po rrëfej ngjarjet e 1972, 1973, 1974... Këta nuk janë vetëm vite nëpër të cilët kam kaluar, janë vitet kur mësova si është të jesh i mbyllur brenda katër mureve.
Gjyshi, përse të kan mbyllyr në burg?, më pyesin nipat e mbesat gati secilën herë që vinë. Sepse, gjyshi juaj kërkonte atë që në atë kohë ishte reptësisht e ndaluar. Unë desha të hapë shkollë shqipe në fshat për të mësuar fëmijët e kombit tim, dhe kjo u refuzua; unë kërkova të vinë libra shqip nga Shqipëria që ne ti lexojmë, dhe kjo gjithashtu u refuzua; unë kërkoja gazeta në gjuhën shqipe, dhe kjo normalisht që u refuzua, unë kërkoja... Kërkesat e mia jo vetëm që nuk u realizun, por ishin po këto kërkesa që më mbyllën në burg. Mbushu me mend, allbanec,më thoshin ata gjersa më zgjidhnin qelinë më të errët për të më futur brenda.
Dhe më futën se më futën!
Ajo për të cilën ndjeja mungesën më të madhe gjatë kohës kur isha i mbyllur në burg ishin librat. Sytë kishin një mall të madh për të lëxuar shkronja. Ata pak libra shqip që i kisha në shtëpi i kisha mësuar përmendësh. E dija se në burg kurrë nuk do të më jepej mundësia për të lexuar një libër shqip. As vetë nuk isha në dijeni se sa kohë do të jem i mbyllur brenda, sepse askush asnjëherë nuk ma tha.
Një mëngjes, nga rrahjet e shumta në burg, isha gati se i vdekur. Mbaj mend se atë ditë erdhi një mjek për të më kontrolluar. Mjeku erdhi edhe ditën tjetër, edhe të pasnesërmen, deri sa më erdhi fuqia ta mbaja vetën në këmbë. Ditën e parafundit, derisa mjeku po më bënte kontrollën mjeksore më tha: pse s’po ik nga burgu, shiqo çka të kanë bërë? E si të ik o mik, ia ktheva. Do të ndihmoj unë, ma ktheu përsësri ai. E kam një plan, vazhdoi. Dëgjo: unë po ju them këtyre të burgut se gjendja juaj shëndesore është tepër e keqësuar, po ju them gjithashtu se nga temperaturat e larta që ke pasur ti ke humbur të dëgjuarit dhe të folurit. Më fal që po të bëj shurdh-memec, por s’di ndryshe si t’ju ndihmoj. Pranoj me kënaqësi ofertën, ia ktheva unë.
Me ndihmën e madhe të mjekut, mbas dy javëve më liruan nga burgu. Që të mos më shtinin përsëri në burg unë vazhdova aktrimin. Kaloi një kohë e gjatë që kur s’kisha folur. Nuk fola as një fjalë, tamam si një shurdh-memec i vërtetë. Madje as gruaja, as femijët e mi nuk e dinin se babi i tyre është duke u shtirrur si shurdh-memec. Po ta dinte fshati se unë po bëja një kurth, isha në rrëzik të më mbyllnin prap në burg. Prandaj, vazhdova të mos flas. Nuk fola aq gjatë sa që me dukej sikur kisha harruar se si flitej. Mbaj mend që gjatë kësaj periudhe, kohën më të madhe e kaloja duke lexuar gjithçka që më dilte përpara syve. Më kujtohet se atë kohë lexova edhe poezitë e Migjenit dhe s’di si u përmbajta ti lexoja pa zë.
“Libri u bo jetë për mu, ashtu si e kom mishin të lidhun per kockat (eshtrat) ashtu e kom shpirtin te lidhun per librin”.
Sot, jam ende gjallë. Jetoj në fshatin tim, fshatin që e kanë braktisur të gjithë përveç meje dhe gruas time. Jo se kjo e shkreta don të jetoj këtu, por e din se e ka të kotë të ma mbush menden të shpërngulemi në Gostivar. I kam thenë: i gjallë s’dal prej ktu, oj grue!
Më dhimbset, se e shoh se i duket e bezdisur jeta këtu në fshatin e vetmuar. E di se don të flas me gratë tjera për muhabetet që atyre i’u duken interesante, por se si nuk mundem të zbres në qytet asesi. Këtu kalova gjithë rojten (jetën) edhe këtu do ta kaloj edhe këtë pak rojtë që më ka mbetur.
Mu kujtua diçka për të qeshur! Çdo të martë kur shkoj në Gostivar për të bërë pazarin vi me torbat bosh. Nuk ka një të martë që nuk jam kacafytur me gruan. Ah e shkreta, më shkruen një tefter me gjërat që i lyp shpia për ti blejtë dhe asnjëherë nuk ja bie të gjitha. Nuk mund të kthehem në fshat pa mos e blerë edhe një libër. Shumë të marta më ndodh ti harxhoj paratë për libra dhe gjithe javës ha patate të ziera, të pjekura...
Sepse patatet dhe mollat gjillë lëng i ka me tepricë fshati Sencë i Rekës së Epërme. Fshati i braktisur në të cilin spo duket se shkel këmbë njeri, përveç këmba e Qemalit, plakut që si mbushet mendja ta lëshoj atë vend njëherë e për përherë. Ky është plaku dhe kjo është historia e jetës së tij...

SIGUROHU A TË MBRON LIGJI, SE NDRYSHE S’KE SE SI E MBRON VETEN!

Një profesor ju tha studentëve të tij “përpara se të përpiqeni të fitoni një “betejë” siguroheni se e këni armatimin e sigurt dhe binduni se a keni të drejtën ligjore për të krisur në atë betejë”. Po nëse nuk i kemi as njërën, as tjetrën?-pyeti një student. Atëherë shko dhe zbrazi plumbat, se ndoshta do të duhen për ndonjë herë tjetër. Për atëherë kur do të dish se ke diçka në prapavi që do të mbroj, diçka siç është LIGJI-përfundoi profesori.
Nëse përpara një dekade jo shpesh mund të dëgjoje se dikush është student, sot rrallë herë të bie të dëgjosh se dikush nuk është student. Kjo nuk nënkupton se rruga për tu bërë student është bërë më e lehtë, kjo është thjesht një ndryshim që gjeneratat e reja po përjetojnë. Të jesh student, nënkupton të kesh pushtet, sepse ti je i mbrojrur me ligj, ti mund të akuzosh kë të duash dhe mund të të akuzoj kush të dojë, mjafton që ligji të ketë menduar për ty paraprakisht.
Sot, studenti e ka horizontin e hapur, dëshira është ajo që mund ta çojë deri në maje të këtij horizonti dhe është prap dëshira ajo që do ta lë në pikën ku u vendos që në fillim.
Është e vërtetë se planeti ynë lëviz, por kjo nuk d.m.th se ne duhet të ngjitemi në një vend dhe të presim ai të na shëtis. Studenti e ka kohën dhe mundësinë më të mirë për t’ja filluar një udhëtimi. Dhe ku i dihet, ndoshta ky mund të jetë “udhëtimi” që do t’ja bëjë ardhmërinë e sigurt.
Le t’ja fillojmë udhëtimit! Prit, se na duhet armatimi!
Universiteti i Evropës Jug-lindorë i rëgjistruar që nga 19 nëntori i vitit 2001 posedon një rregullore të qartë për të gjitha apektet që bashkëveprojnë brenda asaj hapësire.
Këtu janë të parapara të gjitha të drejtat dhe detyrimet e rektorit, pro-rektorëve, sekretarit gjeneral, profesorëve, asistentëve, studentëve, etj.
A e keni ditur për shembull se gjatë përzgjedhjes së kandidatëve që kokurojnë për punë në UEJL, është e ndalur që në komisionin zgjedhor të ketë pjestar të familjes së afërt të kandidatit (neni 76, i rregullores së UEJL).
Shpesh studentët kur janë të shqetësuar nga një problem që kanë pasur me administratën ose profesorët e UEJL, kërkojnë që të ndërmeren masa, por a i mbron ligji i UEJL-së në atë?
Unë nuk i di të drejtat e studentit, di vetëm që po e shkela hapësirën e gjelbër të UEJL-së do të dënohem më 10 euro-tha Arben S. -student i UEJL-së.
Kjo nuk është e shënuar në rregullore, por është një rregull e pa shkruar që studentët e respektojnë plotësisht, madje edhe më mirë se disa rregullore të shkruara.
Ja disa nga nenet e parapara në rregulloren e UEJL:
Studentët kanë të drejtë të ankohen për cilësinë e leksionit ose të kushteve të Universitetit; ankesat e tilla do t’i dorëzohen fillimisht Dekanit të Fakultetit ose nëpunësit ekuivalent me kërkesë të mëtejshme deri te Këshilli, vendimi i të cilit është vendimtar. Rregullorja e cila i elaboron këto procedura do të përpilohet nga Bordi i Universitetit me propozim të Këshillit (Neni 86, i rregullores së UEJL).

Senati mund t’i largojë nga Universiteti, përgjithmonë ose përkohësisht, ata studentë të cilët nuk sillen mirë. Studentët të cilët akuzohen për sjellje joedukative kanë të drejtë të merren në pyetje nga një Komision Disiplinor i cili do të këshillojë Senatin. Largimi para marrjes në pyetje mund të autorizohet nga Rektori. Studentët e larguar me urdhër të Senatit mund të drejtohen me ankesë në Komitetin Ekzekutiv të Universitetit, i cili mund të konfirmojë ose ndryshojë vendimin e Senatit. Rregullorja e cila i elaboron këto procedura do të përpilohet nga Bordi i Universitetit me propozim të Senatit (Neni 88, i rregullores së UEJL).

Të gjitha dosjet personale do të ruhen me konsiderimin e duhur përsa i përket fshehtësisë së informacionit dhe do të hapen vetëm për qëllime të lejuara nga ligji ose ky Statut (neni 93, i rregullores së UEJL).

Kërkoni të drejtat tuaja, përpara çdo gjëje që bëni, nesë të drejtat që i keni nuk ju duken të kuptueshme kërkoni sqarim plotësues për ato. Sepse ti, ke të drejtën ta dish atë të drejtë.

KUJDESU PËR FËMIJUN TËND. SHKRONJAT JA LE MËSUESIT T’JA MËSOJ!

Shkollimi ende vazhdon të mbetet njëri ndër proceset fundamentale për krijimin e një shoqërie të arsyeshme dhe racionale. Kohëve të fundit, një numër i madh i nxënësve hynë në klasë të parë me dituri paraprake të të shkruarit dhe të të lexuarit. Analistët mendojnë se përgatitja paraprake e fëmijeve është një proces i dëmshëm.
“Fëmijët nuk duhet ta mësojnë shkrim-leximin përpara se të hynë në klasë të parë, sepse kjo ndikon që tek ata të shfaqet ndjenja e monotonisë në klasë. Unë nuk jam kundër edukimit të fëmijëve, unë jam kundër kryerjes së punëve përpara se t’ju vijë koha”-u shpreh Nexhbedin Ameti, mësus i nxënësve të klasës së parë.
Mirëpo tani, shumë fëmijë “imponohen” nga prindërit e tyre për ta mësuar shkrimin dhe leximin përpara afatit të caktuar. Njëra ndër pasojat që mund të vi si shkak i këtij imponimi është edhe krijimi i ndjenjës së monotonisë në klasë. Një nxënës që i ka mësuar paraprakisht shkronjat, lidhjen e tyre dhe tingullimin, ndjen mërzi kur është në klasë, sepse jo vetëm tek fëmijët por tek gjithsecili, është monotoni kur dikush ti përsërit gjërat që më veç i ke të njohura-tha B.H, psikologe.
Këto fëmijë që dinë shkronjat paraprakisht, nuk vinë në klasë më dëshirën për të mësuar EDHE NJË SHKRONJË TË RE por vinë sepse ashtu duhet vepruar, sepse ashtu ju kanë thënë prindërit, sepse mungesat nuk janë për nxënësit e mire, etj.
Unë i di shkronjat, i di edhe numrat, pse atëherë mësuesja nuk na mëson tjeter gjë- pyeti Arlinda, nxënëse e klasës së parë.
Fëmijët do të mendojnë se dinë gjithçka dhe kjo mund të ndikojë që ata të ngelin mbrapa me mësimet. Sepse kur shokët zhgaravisin fletorët për ta bërë shkronjën e re që kanë mësuar, ai e bën atë pa probleme. Të dishë nuk është gjë e keqe, e as të marrësh lëvdata, ajo çka mendoj unë se mund të lë pasoja negative është bindja që mund të formohet se UNË DI GJITHÇKA. Mirëpo shkronjat janë 36, e çka pastaj?-shtoi mësuesja M.Z.
Problemi për të cilin mësuesit ishin të shqetesuar ishte humbja e vullnetit për të punuar me nxënësit.
“Puna e mësuesit të klasës së parë është të ju mësojë ndër të tjerash nxënësve shkrimin dhe leximin. Nëse shumica e nxënësve vinë me njohuri paraprake mbi këtë, atëherë puna e tij nuk do të rezultote në asgjë. Kjo është një dilemë që i kanoset punës së mësuesit. Poqese ai vendos që nxënësve t’ju jep informata shtesë, në vend që t’ju mësojë shkronjat, kjo do të sillte probleme me planprogramin mësimor”-përfundoi mësuesi Nexhbedin Ameti.
Ajo çka duhet kuptuar është se metodat dhe mënyrat se si jepet arsimimi nuk janë gjithmonë të njejta, ata për dikend mund të jenë të dobishme, e për dikend tjetër jo. Puna jonë është ta gjejmë atë që është me e përshtatshme, për të dhëmë një rezultat – MËSO NGADALË, POR MËSO SI DUHET.

KËTË VITË SHKOLLOR SHUMË BANGA TË KLASAVE TË PARA MBETËN TË SHPRAZURA




Përderisa, përpara dhjetë viteve paralelet shqiptare kanë numëruar nga 30 deri më 38 nxënës nëpër shkollat fillore, sot ky numër është duke u zvogëluar dukshëm. Këtë dukuri po përjetojnë edhe shkolla fillore të Gostivarit, tek të cilat shënohet një rënje e dukshme e nxënësve. Në shkollën “Goce Dellçev për shëmbull, rënja drastike e numrit të nxënësve ka ndikuar edhe në zvogëlimin e paraleleve që ndjekin mësimin në gjuhën shqipe.
Viti i ri shkollor, u hap në këtë shkollë me tre paralele shqiptare, njëra prej të cilave numëron jo më shumë se 9 nxënës, kurse përpara tetë viteve i njejti mësues ka pasur 30 nxënës.
Mirushe Zenku, mësuese e nxënësve të klasës së parë në këtë shkollë, tregoi se klasa e saj numëron gjithsej 13 nxënës, kurse klasa e kolegës së saj ka 17 nxënës.
Një mbledhje e thjeshtë matematikore do të sillte këtë rezultat habitës: 17+13+9=39. Thënë me fjalë, nëse tani të tre klasat e para kanë 39 nxënës, përpara 8 viteve kaq nxënës ka pasur vetëm një klasë.
Në pyetjen se kush janë shkaqet për një rrënje të këtillë, zëvendës drejtori i kësaj shkolle z. Sefer Elmazi theksoi: largimi i shqiptarëve drejt mërgimit për kushte më të mira ekonomike është arsyeja bazë e kësaj dukurie.
Arsye tjetër e rëndësishme është edhe ideja e ‘planifikimit familjar’, ide kjo që tek shqiptarët filloj të bëhët prezente viteve të fundit.
Kurse tek paralelet maqedonase numri i nxënësve bie për shkak të largimit të shumë familjeve maqedonase në Shkup.
Ajo që ndoshta nuk është vetëm një rastësi e çuditëshme, është edhe fakti se nxënësit e klasës së parë të këtij viti shkollor, janë të lindur në periudhën e viteve 2001-2002. Gjatë kësaj periudhe, konflikti që u krijua në Maqedoni, ndikoj që shumë familje ta linin të dorës së dytë prrurjen në jetë të një fëmije.
Edhe në shkollën “Ismail Qemali” kemi një rënje të numrit të nxënësve por kjo shifër nuk është aq e madhe sa në shkollat tjera-shtoi zëvëndës drejtori i kësaj shkollë z. Bujar Sulejmani.

“RRUGËT PËR NJERËZIT” EDHE NË GOSTIVAR

Sikur papastërtia e ajrit që thithim të shihej ashtu siç shihet papastërtia e një letre të bardhë, të gjithë do të bërtisnim MOS MA NDOT AJRIN TIM!
Prandaj, çdo “bërtimë” që degjon në mbrotje të asaj që është me të vërtetë e JONA, bashkangjitju edhe ti. Në të kundërtën mundohu të ngresh zërin ti i pari.
Këtë bëri edhe qyteti i Gostivarit prej datës 16 deri më 22 shtator të këtij viti kur u inkuadrua në aktivitetin Java e Mobilitetit Evropian-Rrugët për Njerëzit.
Qëllimi i këtij aktiviteti është mbrojtja e ajrit nga ndotja e automjeteve transportuese dhe inkurajimi i autoriteteve lokale për ndarjen e hapësirave për trafik të pa motorizuar.
Ditët e para të aktivitetit filluan me trajtimin e temave për mbrojtjen e ajrit nga komunikacioni, nëpër shkollat e qytetit, kurse datat 19, 20, 21 shtator u shënuan me aktivitete nëpër rrugët e Gostivarit.

Ky aktivitet u bë i mundur nga Organizata Joqeveritare “Europian Link Center” nga Gostivari dhe me përkrahjen e Ministrisë së Ekologjisë dhe Planifikimit Hapësinor.
Kryetari i kësaj organizate z. Muzafer Saliu tha se qyteti i Gostivarit është i pari në Maqedoni që hynë në konkurs për realizimin e një video iqizimi, me përmbatje nga aktivitetet e realizuara gjatë Javës së Mobilitetit. Në këtë aktivitet konkurojnë 1300 vende të mbarë botës, kurse rezultatet priten të shpallen në mars 2008.
Unë ndjejë kënaqësi kur shoh se edhe qyteti im është bërë pjesë e këtij aktiviteti, i cili është për të mirën e të gjithë qytetarëve, sepse të ngreshë vetëdijën për një ajër më të pastër është një punë e mbarë-tha Genc Saliu, pjesmarrës në këtë aktivitet.
Kurse një fëmijë i Gostivarit nuk nguroi të thotë: më në fund degjova se dikush do të punojë në ndërtimin e rrugëve edhe për biçikletën time, shpresojë të bëhet realitet!

Java e Mobilitetit Evropian në botë ka filluar të manifestohet prej vitit 2002 nga ana e komisioneres Margot Wallström. Rrugët për Njerëzit është edicioni i gjashtë i Javës së Mobilitetit Evropian. Pesë edicionet e tjera kanë qenë: “Transporti publik”, “Lehtësim Komunikacioni”, “Rrugë të sigurta për fëmijët”, “Komunikim i mënçur” dhe “Ndryshimet klimatike”.